Prej pasdites së të enjtes, dhjetëra zjarrfikës po përpiqen të kontrollojnë një zjarr të madh që ka rënë në zonën pyjore të ishullit të Lesbosit, midis fshatrave Geras dhe Plomariou.

Shërbimi zjarrfikës njofton se janë dhjetëra vatra zjarri dhe ka hedhur dyshime për zjarrvënie të qëllimshme.

Terreni i thyer e bën më të vështirë hyrjen e mjeteve të zjarrfikësve dhe pritet të mbërrijnë në ishull dy helikopterë të tjerë nga Athina.

Më herët, në një zjarr të madh në jug të kryeqytetit, 3 zjarrfikës janë plagosur dhe dy makina të shërbimit zjarrfikës janë djegur gjatë punës për vënien nën kontroll të një zjarri të madh, që kërcënonte banorët dhe shtëpitë e tyre në Lagonisi, një periferi bregdetare 30 km nga Athina.

Rreth 50 zjarrfikës, me 27 mjete dhe dy helikopterë kanë luftuar me flakët, ndërsa në zonë frynin erëra të fuqishme. Të paktën 3 banesa janë djegur dhe disa të tjera kanë pësuar dëme.

Edhe në Prefekturën e Ilias në gadishullin e Peloponezit, një vatër e re zjarri ka djegur dhjetëra hektarë pyje, e në zonë operojnë për shumë orë dy helikopterë dhe dy avionë të shërbimit zjarrfikës, me 12 mjete të tjera dhe mbi 20 punonjës.

Vetëm dje në të gjithë Greqinë u regjistruan mbi 54 vatra të fuqishme zjarri. Organet greke kanë rritur shkallën e gatishmërisë në nivelin e katërt të rrezikshmërisë – para gjendjes së jashtëzakonshme, – për shumë zona të vendit, pasi deri në fundjavë temperaturat do të shkojnë mbi 40 gradë në shumë zona dhe rreziku i zjarreve është tepër i madh.

Top Channel