I refuzoi LFP-ja, paratë për Neymarin paguhen te Barça

03/08/2017 00:00

Pavarësisht përpjekjeve të Ligës Profesioniste Spanjolle për të bllokuar transferimin e Neymar te Paris SG, klubi katalanas i Barcelonës ka konfirmuar pagesën e klauzolës së prishjes së kontratës nga ana e vet lojtarit brazilian: plot 222 milionë euro.

Neymar, 25 vjeç, pritet të kalojë te Paris St. Germain për një shumë rekord botëror, pasi i komunikoi ish-klubit të tij të mërkurën dëshirën për t’u larguar nga Katalunja.

Avokatet e futbollistit brazilian bënë pagesën në emër të lojtarit në zyrat e Barcelonës.

Më herët gjatë kësaj të enjteje, “LFP”-ja refuzoi përpjekjen për të paguar këtë klauzolë, për shkak të shqetësimeve se klubi parizien po shkel rregulloren e “Fair Play”-t financiar të vendosur nga UEFA.

Në një deklaratë, Barcelona tha se “do t’ia kalojnë UEFA-s të gjitha detajet e operacionit të fundit, në mënyrë që të përcaktohen përgjegjësitë disiplinore që mund të ngrihen në të ardhmen nga kjo çështje”.

Klubi blaugrana kishte thënë më herët se mund ta raportonin PSG-në në UEFA, trupa më e lartë qeverisëse e futbollit europian, për shkelje të rregullores së “Fair Play”-t.

“Pasditen e së enjtes, përfaqësuesit ligjorë të Neymarit vizituan personalisht zyrat e klubit dhe bënë pagesën prej 222 milionë eurosh në emër të lojtarit, për të siguruar përfundimin e njëanshëm të kontratës që bashkonte palët”, thuhet në deklaratën e Barçës.

Në Spanjë ekziston mundësia që një lojtar të paguajë edhe vet “prishjen e njëanshme” të kontratës. Kjo, zakonisht bëhet duke depozituar sasinë e parave të përcaktuar në klauzolën e prishjes së kontratës me La Ligën, për të çliruar lojtarin nga detyrimet kontraktore. Liga më pas ia kalon paratë klubit nga ku largohet lojtari.

“Ne mund të konfirmojmë se avokatët e futbollistit erdhën në La Liga për të depozituar paratë e klauzolës, por kjo u refuzua”, thanë përfaqësues të Ligës Profesioniste Spanjolle për “BBC”, përpara se shuma në fjalë t’i bëhej drejtpërdrejtë klubit të Barcelonës.

Top Channel