Kosovë, nuk zgjidhet kryeparlamentari. Dështon seanca e Kuvendit

03/08/2017 00:00

Seanca konstituive e legjislativit kosovar u mbyll vetëm me betimin e deputetëve, por pa zgjedhur kryetarin dhe Kryesinë e Kuvendit.

Seanca nisi në mesditë, por u ndërpre shumë shpejt, pasi koalicioni “PDK, AAK dhe Nisma” kërkoi më shumë kohë për konsultime të brendshme, për të propozuar emrin e kryetarit të Kuvendit.

Me rifillimin e saj në orën 15:00 situata nuk ndryshoi, e për më tepër, koalicioni as që u paraqit në sallë.

Për këtë arsye, deputeti më i vjetër Adem Mikullovci, i cili ishte në rolin e kryesuesit të seancës, e shtyu atë për në orën 10 të ditës së premte.

Koalicioni “PAN” vazhdon që të ketë vetëm një emër në listë, atë të Kadri Veselit, propozim që kundërshtohet nga partitë opozitare si Vetëvendosja dhe LDK-ja.

Mediet në Kosovë shkruajnë se ky emër duket se nuk siguron dot as konsensusin mes koalicionit që duhet ta propozojë, përderisa deputetët e tij as që morën mundimin të shfaqeshin në sallë në rinisjen e seancës.

Opozita i ka kërkuar koalicionit “PAN”, që fitoi zgjedhjet, që të paraqitet në sallë me një emër që meriton respekt dhe që do të ketë votat për t’u zgjedhur, në mënyrë që Kosova të nisë formimin e institucioneve të saj. Përndryshe, sipas Vetëvendosjes, koalicioni “PAN” duhet të mbajë përgjegjësi para qytetarëve për dështimin në detyrën e tij.

Top Channel