Mbappe kërkon largimin nga Monaco. Reali, tashmë ka rival edhe Barçën

03/08/2017 00:00

Vera e këtij viti duket se do të jetë tepër e nxehtë sa i përket merkatos së futbollistëve. Pas transferimit të bujshëm me shifra rekord të Neymarit nga Barça te PSG-ja, pritet që shumë shpejt të regjistrohet një tjetër shitje rekord.

Sipas asaj që publikon “L’Equipe”, futbollisti Kylian Mbappe i ka kërkuar Monacos ta nxjerrë në shitje, duke refuzuar në këtë mënyrë tratativat për rinovimin e kontratës që i skadon në vitin 2019. Për sulmuesin është interesuar prej kohësh Reali i Madridit, por tashmë në garë janë edhe Barcelona me Manchester Cityn.

Sezonin e kaluar, qendërsulmuesi tregoi talentin e tij shpërthyes, duke shënuar 26 gola në moshën 18-vjeçare, e duke u kthyer në një prej protagonistëve kryesorë të rikthimit të Monacos te titulli kampion në Ligue 1, sikurse edhe në gjysmëfinalet e Champions League.

“L’Equipe” shkruan se, ajo që e ka shtyrë Mbappe të kërkojë largimin është pikërisht shitja e futbollistëve të tjerë cilësorë si Bernardo Silva, Bakayoko dhe Mendy, por nuk është për t’u fshehur as dëshira për të luajtur në një klub të madh europian.

E përditshmja franceze flet për një shumë prej afro 180 milionë eurosh që do të bëjë të mundur largimin e 18-vjeçarit nga Monaco. Por a do të jetë i gatshëm Reali të derdhë kaq shumë parà në arkat e klubit nga Principata? Për më tepër që tani këtë disponibilitet e ka Barcelona, e cila duket pranë arkëtimit të 222 milionë eurove nga shitja e Neymar, pavarësisht problemeve teknike të shfaqura nga Liga Profesioniste Spanjolle.

Top Channel