Shqetësim te Bayern. 14 gola të pësuar dhe presion ndaj Ancelottit

03/08/2017 00:00

Miqësoret e verës vlejnë shumë pak, për të mos thënë aspak. Por edhe kjo, ndoshta vlen të thuhet kur gjërat shkojnë pozitivisht, pasi nëse humbet, kritikat janë gjithnjë të pranishme.

Ditën e djeshme, pas humbjes me Napolin, futbollistët e Bayern Munchen u vërshëllyen nga tifozët vendas. Drejtuesit, të shqetësuar normalisht, iu dhanë të drejtë tifozëve, sepse kjo e sivjetshmja është një nga fazat përgatitore më të dobëta në historinë e klubit bavarez.

Më 15 korrik gjatë “Telekom Cup”, Bayern kishte mposhtur vetëm Hoffenheimin dhe Ëerder Bremenin, që të dyja në ndeshje 45 minutëshe. Më pas filluan problemet, me turneun në Azi e më pas me miqësoret e “Audi Cup”.

Në 6 ndeshjet e fundit të zhvilluara, bavarezët kanë pësuar 14 gola: ndaj Arsenalit humbën me penallti, me Milanin pësuan “poker”, triumfuan 3-2 me Chelsean, humbën 0-2 me Interin, 0-3 me Liverpoolin e së fundi, 0-2 me Napolin. Po të kthejmë kohën pas, në 17 sfidat e fazës së dytë të Bundesligës, Bayern Munchen kishte pësuar vetëm 12 gola, nga të cilët 5 pasi e kishte siguruar matematikisht titullin kampion.

Një performancë që të bën të shqetësohesh. Për më tepër që të shtunën luhet Superkupa e Gjermanisë kundër Borussia Dortmund.

Rummenigge ka dalë hapur dhe e ka pranuar shqetësimin. “Duhet të ndryshojmë diçka. Shpresoj që trajneri të ketë recetën e duhur”. Por Muller duket se nuk është dakord, madje fajëson drejtuesit e klubit në lidhje me vendimin për ta zhvilluar turneun në Azi. “Deri në fillim të kampionatit kemi mundësi të stërvitemi shumë mirë, e jo vetëm të rikuperojmë energjitë nga njëra ndeshje në tjetrën”.

Top Channel