Botërori i Atletikës, tërhiqet kanadezi De Grasse

03/08/2017 00:00

Usain Bolt do të ketë një rival më pak në Botërorin e Atletikës në Londër që fillon këtë të premte. Andre De Grasse nuk do të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për shkak të një dëmtimi në kofshën e djathtë.

Ai që e konfirmoi lajmin ishte agjenti i sprinterit 22-vjeçar nga Kanadaja, Paul Doyle, ndërkohë që vetë De Grasse nuk e fshehu dëshpërimin për këtë mungesë.

“Mendoj për botërorin e atletikës dhe garën e 100 m prej 1 viti”, pohoi De Grasse. “Isha në formën më të mirë dhe doja të garojë përkrah atletëve më të mirë të planetit. Nuk e imagjinoja se do ta humbisja këtë shans, por duhet të pranoj realitetin. Jam i trishtuar, por jam ende i ri dhe do të kthehem më i fortë se kurrë”.

De Grasse arriti të fitojë 3 medalje në Lojërat Olimpike të Rio De Janieros vitin e kaluar; të argjendtën në 200 m, të bronztën në 100 m dhe në stafetën 4×100 m. Kanadezi është parashikuar që të qëndrojë jashtë pistave të atletikës për një periudhë nga 4-6 javë.

Top Channel