Transferimi i Neymar shkon deri në KE

03/08/2017 00:00

Impakti që ka pasur transferimi i Neymar te PSG ka qenë shumë i madh aq sa në të u përfshi edhe Komisioni Europian. Një prej zëdhënësve të këtij institucioni, Christian Wigand u pyet në lidhje me këtë çështje në një konferencë për shtyp, por pa dhënë komente sqaruese.

“Për çështjen e e Neymar nuk mund të them shumë. Ky komision nuk mund të bëjë asnjë koment për vendime biznesi të ndërmarra nga klube futbolli. Për rregullsitë në sistemin e transferimeve të futbollistëve Komisioni i diskuton me Ligat dhe klubet ku aktivizohen lojtarët”, tha Wigand.

Ndërkaq, në Spanjë është krijuar një kaos i vërtete ku  në lojë hyri edhe La Liga. Vetëm përpara pak ditësh, kreu i këtij institucioni Javier Tebas bëri të ditur se nuk do ta pranonte shifrën prej 222 milionë eurosh që do të depozitonte Paris Sën Zhermen, gjë që e bëri realisht.

Mësohet se ai që u ngarkua që të dorëzonte dokumentet bankare të transferimit të Neymar ishte Huan de Dios Crespo, avokat i specializuar në të drejtën sportive, një lëvizje kjo që nuk dha frytet e saj.

Tani Neymar dhe përfaqësuesve ligjorë të tij nuk i mbetet gjë tjetër veçse të nisë bisedimet me drejtuesit e La Ligës.

Nëse këto bisedime nuk do të kenë sukses, ata do t’i drejtohen FIFA për të marrë një leje provizore të transferimit në mënyrë që Neymar të jetë në fushën e lojës në ndeshjen e javës së parë të Ligue 1 që Paris Sën Zhermen e ka me Amiens këtë fundjavë.

Top Channel