Konstituohet Parlamenti në Kosovë

03/08/2017 00:00

Seanca konstituive e kuvendit të Kosovës ka rinisur në orën 15.00 pasi u ndërpre më herët nga drejtuesi i saj, deputeti më i vjetër Adem Mikullovci.

Ndërprerja u bë pasi koalicioni PAN që fitoi zgjedhjet kërkoi 2 orë kohë shtesë për konsultime për emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Shtyrja e seancës së parë të kuvendit, u vendos nga deputeti Mikullovci pavarësisht se në votimin e kryer paraprakisht, 60 deputetë votuan kundër shtyrjes së kërkuar nga koalicioni PAN, i përbërë nga Partia demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma.

Mediat në Kosovë raportojnë se edhe pas konsultimeve Kadri Veseli mbetet kandidati i vetëm për kryeparlamentar nga koalicioni PAN, zgjedhja e të cilit është edhe qëllimi kryesor i seancës së sotme.

Parlamenti i ri i Kosovës pritet gjithashtu që të votojë për zgjedhjen e kryesisë së tij. Analistët politikë mendojnë se problemet që legjislativi i ri has që në seancën e parë tregojnë për vështirësitë që ai do të ketë në vazhdim.

Top Channel