Boks, tërhiqet Wladimir Klitschko

03/08/2017 00:00

Wladimir Klitschko var dorezat në gozhdë. Boksieri 41-vjeçar, ish-kampion bote në peshat e rënda, ka vendosur të tërhiqet përfundimisht nga boksi, që do të thotë se ai nuk do ta zhvillojë ndeshjen e revanshit me Anthony Joshua, ndaj të cilit humbi në raundin e 11 në sfidën e zhvilluar në Wembley, në muajin prill.

“Arrita të gjithë sukseset që kisha ëndërruar dhe tani dua të nis një karrierë të re pas aktiviteteve sportive. Nuk e mendoja se do të kisha një sukses kaq të gjatë në karrierën time si boksier”, deklaroi Klitschko.

Ish-kampioni i botës, i cili mbajti titujt e unifikuar në boks për periudhën 2006-2015, e mbylli karrierën e tij si boksier me bilancin 64 fitore dhe 5 humbje. Wladimir Klitschko në vitin 1996 fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Atlantës, ndërkohë që një vit më vonë u bë boksier profesionist. Ai regjistroi një rekord prej 24 fitoresh e asnjë humbje përpara se të humbiste me Ross Puritty në vitin 1998, në ndeshjen e vetme të zhvilluar në Ukrainë.

Në vitin 2000, Klitschko fitoi titullin botëror në WBO pas fitores me amerikanin Chris Byrd, ndërsa në 2003 dhe 2004 u mposht nga Corrie Sanders dhe Lamon Brewster. Pas kësaj, për 11 vjet Klitschko nuk njihte humbje, deri në nëntor të vitit 2015, kur i dorëzoi titujt në WBA, IBF dhe WBO britanikut Fury.

Top Channel