Skënderbeu-Mlada, korçarët synojnë kualifikimin

03/08/2017 00:00

Luhet sot në mbrëmje sfida e kthimit të raundit të tretë në Europa League, mes Skënderbeut dhe Mlada Boleslav.

Sfida e parë e zhvilluar në Çeki u mbyll 2-1 për skuadrën e Mladës, një rezultat ky që gjithsesi e lë të hapur çështjen e kualifikimit për skuadrën korçare, së cilës i mjafton edhe fitorja minimale 1-0 për të qenë në fazën e “playoff”-it të këtij kompeticioni.

Trajneri Ilir Daja, në konferencën për shtyp përpara kësaj sfide, theksoi se skuadra e tij do të bëjë gjithçka për t’u kualifikuar: “Kemi parë anët e forta të kundërshtarit, gjithashtu edhe pikat e dobëta për të marrë masat e duhura që të kualifikohemi. Është e vështirë sepse duhet patjetër që ta fitojmë ndeshjen, por me golin në fushën kundërshtare dhe me qëndrueshmërinë mentale, besoj se i kemi edhe ne shanset tona për të vazhduar më tej”.

Lajmi më i mirë për Dajën në prag të ndeshjes është rikthimi në skuadër i James e sidomos Sabien Lilajt, i cili theksoi se dëshiron të shënojë gol në këtë ndeshje, edhe pse nuk është detyra e tij kryesore.

“Mlada është ekip që ka grupin të fortë, luftojnë të gjithë bashkë. Detyra ime nuk është të shënoj gola, por të jap pasimin e fundit. Gjithsesi, kur shënon është gjithmonë emocion i veçantë dhe unë kam dëshirë të shënoj”, tha Lilaj.

Ndeshja mes Skënderbeut dhe Mlada Boleslav do të luhet në orën 20:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Top Channel