Greqia ka regjistruar brenda 24 orëve të fundit dy viktimat e para për këtë vit nga virusi i Nilit Perëndimor.

Bëhet fjalë për një 76-vjeçar dhe një 90-vjeçare, të cilët pasi u infektuan nga virusi në fjalë kanë shfaqur komplikacione të rënda shëndetësore pavarësisht se kuroheshin prej disa ditësh në repartet e reanimacionit, në dy spitale të Athinës.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive, në gjithë vendin numri i personave të konfirmuar si të infektuar ka shkuar në 12.

Virusi i Nilit u shfaq për herë të parë në Greqi në vitin 2010 pas disa dekadash, në një formë epidemie që përfshiu më shumë se 260 persona, prej të cilëve 190 u prekën nga meningjiti dhe encefaliti, ndërsa numri i viktimave arriti në 35 vetë, kryesisht të moshës mbi 60 vjeç.

Deri në vitin 2014 u regjistruan herë pas here raste të veçuara të këtij virusi, ndërsa në dy vitet e fundit nuk pati asnjë rast zyrtar. Ndaj dhe rishfaqja e tij sivjet për herë të parë pas tre vitesh ka alarmuar organet greke të shëndetit.

Virusi i Nilit Perëndimor përhapet nëpërmjet pickimit të mushkonjave të infektuara, ndaj specialistët udhëzojnë banorët të marrin masa vetjake.

Në disa raste ai mund të shkaktojë komplikime në sistemin nervor qendror, si encefalit ose meningjit, sidomos tek grupomosha mbi 65 vjeç, ndërkohë që shumica e pacientëve kanë simptoma më të lehta.

Sipas organeve greke të Shëndetësisë, pas shfaqjes së virusit mund të ketë rritje të numrit të të prekurve deri në fund të muajit shtator, kur zhduken mushkonjat e infektuara që mbartin virusin në fjale, ndaj dhe Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar organet lokale të mos ndërpresin spërkatjen me pesticide.

Top Channel