Blerja e re Ali Sowe: Te Skënderbeu që të shënoj gola

02/08/2017 00:00

Të enjten në mbrëmje nuk do të jetë në fushë ndaj Mllada Boleslav, edhe pse shihet si një nga prurjet më cilësore të futbollit shqiptar në merkaton e kësaj vere. Por Ali Sowe shpreson se do të lërë gjurmë me Skënderbeun këtë sezon.

“Kam qene i bindur që në fillim sepse më kanë folur për ekipin dhe këtë aventurë të re. Zgjodha  Skënderbeun sepse është një ekip që merr pjesë rregullisht në kupat europiane. Ajo për çfarë kam ardhur këtu është të shënoj gola, por është vendim i trajnerit se ku do të më caktojë në fushë. Jam profesionist dhe do të jap maksimumin me fanelën e Skënderbeut”, tha Ali Sowe.

Ali Sowe do të mbajë numrin 90 në shpinë pas transferimit nga Chievo- te Skënderbeu, me formulën e huazimit për një vit, ndërsa korçarët kanë opsione për blerjen e kartonit të lojtarit.

“Idhulli im është Thierry Henry, ndërsa në Itali aktualisht më pëlqen Higuain edhe pse nuk jam tifoz me Juventus”, tha Sowe.

Drejtuesit e Skënderbeut vlerësuan se Sowe nuk është ende në formën optimale fizike dhe mund ti nevojitet pak kohë të ambientohet me skuadrës. Për këtë arsye, nuk u regjistrua në UEFA për sfidën e turit të tretë kualifikues të Europa League.

Top Channel