Mesazhi i Trump: SHBA ju mbështet. Ballkani, e ardhmja në Europë

02/08/2017 00:00

Politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor nuk ndryshon dhe mbështetja për secilin shtet do të vijojë. Këtë e konfirmoi zv.presidenti i SHBA-ve, Mike Pence, gjatë Samitit të Kartës së Adriatikut, që po mbahet në Podgoricë.

“Me presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë të mbështesin secilin nga ju, në mënyrë që të shkojmë drejt së ardhmes bashkë”, është shprehur numri 2 i Shtëpisë së Bardhë.

Nga Mali i Zi, Pence i adresoi edhe një mesazh Rusisë.

“Rusia vazhdon përpjeket për të ndryshuar kufijtë ndërkombëtarë me forcë dhe këtu në Ballkanin Perëndimor ka punuar për të destabilizuar rajonin, dëmtuar demokracinë dhe për t’iu ndarë juve nga njëri-tjetri dhe nga pjesa tjetër e Europës. Presidenti Trump ia ka bërë të qartë Rusisë që të heqë dorë nga destabilizimi dhe unë mund t’iu siguroj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përjashtojnë çdo tentativë për të përdorur forcë, kërcënime apo intimidime në këtë rajon apo edhe përtej. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të drejtë të zgjedhin të ardhmen e tyre dhe kjo është vetëm e drejta juaj”, ka thënë Mike Pence.

Për zv.presidentin amerikan, siguria globale kundër kërcënimit të ISIS-it është nga çështjet më kryesore. E për këtë, ai rikujtoi edhe njëherë kërkesën e presidentit Trump për rritjen e investimeve për mbrojtjen. Por, në të njëjtën kohë, Pence falënderoi vendet e Ballkanit për angazhimin e tyre në këtë betejë.

“Më pak se një vit më parë, disa prej vendeve tuaja ndërprenë planet e ISIS-it për sulme të koordinuara në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Shtetet e Bashkuara iu janë mirënjohës. Mirënjohës për kontributin tuaj në fushatën globale për të mposhtur ISIS-in”, tha Pence.

E në fund, zv.presidenti amerikan u drejtoi edhe një mesazh 7 udhëheqësve të pranishëm.

“Merreni këtë mundësi nëpërmjet veprimeve tuaja, që të afroheni edhe më shumë mes vendeve tuaja dhe me Perëndimin. Mbyllini çështjet e papërfunduara në Ballkanin Perëndimor dhe përfundoni udhëtimin që ne nisëm bashkë shumë vite më parë”, deklaroi Mike Pence.

Top Channel