Champions, Salzburgu ndaj Rijekës për të thyer mallkimin “Red Bull”

02/08/2017 00:00

Salzburgu është vetëm një hap larg shënimit të një rekordi tejet negativ, aq sa disa media sportive e cilësojnë edhe si “mallkim”. E mallkimi në këtë rast duket se ka të bëjë me Red Bullin, për të cilin disa thonë me ironi se “nuk ka traditë në futboll”.

Por për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë? Kampionët e Austrisë në futboll, Salzburgu rrezikon që në rast humbjeje mbrëmjen e sotme përballë Rijekës së Kroacisë, të eliminohet për herë të 10 radhazi nga kualifikueset e Champions League. Një statistikë e rëndë kjo për austriakët, të cilët që kur sponsorizohen nga Red Bulli nuk kanë mundur kurrë të kualifikohen për në fazën e grupeve të kompeticionit më madhor për klube në Europë, e që ka bërë “koka turku” emra të tillë si Trapattoni dhe Matthaus.

Që kur Red Bulli hyri në shoqërinë austriake në vitin 2005, statusi i Salzburgut ka ndryshuar ndjeshëm. Deri në ato vite, skuadra në fjalë kishte fituar vetëm 3 herë kampionatin vendas, ndërsa tashmë numëron 11 tituj. Të parin e siguroi me Trapattonin në pankinë dhe me Matthaus si ndihmësin e tij. Por nën drejtimin e tyre, Salzburgu u eliminua nga Valencia, e më pas nga Shakhtari, dy skuadra superiore realisht. Ndërkohë, vitet e tjera ekipi është eliminuar edhe nga skuadra më pak të fuqishme, si Maccabi Haifa, Hapoel Tel Aviv, madje edhe nga Dudelange i Luksemburgut, duke shtuar këtu edhe dy herë nga Malmo i Suedisë.

Këtë vit, kundërshtari mban emrin Rijeka. Javën e kaluar në Austri, ndeshja mes tyre përfundoi me rezultatin 1-1, që në gjuhën e futbollit nuk është një rezultat favorizues për të siguruar kualifikimin në turin tjetër. Fitorja në Kroaci, sigurisht që nuk mund të konsiderohet e sigurtë, për më tepër që Rijeka nuk humbet në stadiumin e saj që prej sezonit 2014-2015. Dhe pas 9 eliminimeve në 9 ndeshje kualifikuese, presioni për austriakët është shumë i madh.

Top Channel