Bolt, gati për Botërorin e Londrës dhe lamtumirën

02/08/2017 00:00

Usain Bolt po përjeton ditët e fundit të përgatitjeve përpara kampionatit botëror të Londrës, që do të jetë edhe kompeticioni ku ai do të mbyllë përfundimisht karrierën e tij.

Sprintieri xhamajkan, fitues i 8 medaljeve të arta olimpike dhe rekordmen botëror në garat 100 dhe 200 metra, u shpreh se dëshiron që të kujtohet si njeriu, të cilin askush nuk mundi ta ndalë, ndërkohë që bëri të ditur edhe projektet për të ardhmen, duke theksuar se nuk ka ndërmend të tërhiqet përfundimisht nga sporti dhe se do të udhëtojë nëpër botë për të inkurajuar atletët e rinj.

Bolt përdori tone shakaje kur u pyet për karrierën e tij si futbollist, kur theksoi se po pret që të firmosë me Manchester United.

Në Botërorin e Londrës, kampioni olimpik do të zbresë në pistë ditën e premte, teksa do të garojë në disiplinën e 100 metrave. Ai do të jetë edhe në stafetën e 4×100 metra, por nuk do të garojë në 200 metërshin. 30-vjeçari që përjetoi disa muaj të vështirë theksoi se, me shumë mundësi pasuesi i tij në pistë do të jetë pikërisht Van Niekerk.

Top Channel