Gvozdenoviç lë Tiranën për kampionët e Kukësit

02/08/2017 00:00

Ivan Gvozdenoviç nuk është më pjesë e skuadrës së Tiranës. Zëvendëstrajneri i bardhebluve i ka dhënë fund kësaj detyre, për t’u larguar në drejtim të skuadrës kampione të Kukësit.

Pasditen e së martës, Gvozdenoviç është takuar me futbollistët në fushën stërvitore “Skënder Halili” dhe me pjesën tjetër të stafit teknik të skuadrës për t’i përshëndetur, duke mbajtur edhe një fjalim, duke mos e përjashtuar mundësinë e rikthimit te 24 herë kampionët e Shqipërisë.

“Kam kaluar me ju dy vitet e fundit, mes momenteve të mira por edhe të vështira, të cilat i kemi kaluar bashkë”, është mësuar të ketë thënë Gvozdenoviç. “Ka qenë një eksperiencë mjaft e mirë për mua, siç ka qenë edhe për ju. Ka qenë një nder për mua të punoja në një klub të madh si Tirana. Është klubi më i madh në Shqipëri dhe më i rëndësishmi. Por ky është futbolli, sot po iki nga Tirana e ndoshta një ditë do të rikthehem sërish këtu”.

Ndërkohë, Tirana vijon përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Me skuadrën bardheblu janë bashkuar edhe Merveil e Akua, ndërsa pritet ardhja e lojtarëve të tjerë, përpara se kryeqytetasit të largohen nga vendi për të vijuar fazën përgatitore.

Top Channel