Pence mbërrin në Mal të Zi, pritet nga kryeministri Markoviç

01/08/2017 00:00

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence ka mbërritur në Mal të Zi, ku është mirëpritur në Aeroportin e Podgoricës nga kryeministri Dusko Markoviç. Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në rajonin e Ballkanit, që pas zgjedhjes së presidentit Donald Trump.

Pence mbërriti në Mal të Zi i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Karen, në vazhdën e turit të tij europian që nisi me vizitën në Estoni, e më pas me ndalesën në Gjeorgji.

Në Podgoricë, Pence do të takohet me presidentin malazez, Filip Vujanoviç, si dhe kryeministrin Dusko Markoviç, e ditën e mërkurë do të marrë pjesë në Samitin e Kartës së Adriatikut, me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë samit do të marrin pjesë presidentët ose kryeministrat e Malit të Zi, Maqedonisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë, si përfaqësues të tjerë nga Kosova, Serbia dhe Maqedonia.

Në darkën që do të shtrohet mbrëmjen e sotme për nder të zv.presidentit Pence, veç kryeministrit dhe presidentit malazez do të jetë edhe kryetari i Parlamentit, si dhe dy zyrtarë të tjerë Srdjan Darmanoviç e Predrag Boskoviç. Bisedimet zyrtare mes Markoviç dhe Pence do të zhvillohen mëngjesin e së mërkurës.

Top Channel