Zyrtare, Ajeti mbetet në Serie A

01/08/2017 00:00

Pavarësisht problemeve të shfaqur në vitin e kaluar te Torino, të cilët erdhën edhe për shkak të dëmtimit, Ajeti do të mbetet në Serie A edhe në sezonin 2017-2018.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është lojtari më i ri i Crotones. Klubi i Serie A konfirmoi huazimin e mbrojtësit shqiptar nga Torino. Një operacion që ishte mbyllur prej ditësh dhe ku pritej vetëm formalizimi i marrëveshjes. Crotone fitoi ankandin për 23-vjeçarin, për të cilin kishin shfaqur interes edhe SPAL në Serinë A, Palermo në Serinë B, por edhe Freiburgu në Bundesligën gjermane.

Megjithatë, Ajeti zgjodhi projektin e kalabrezëve, sepse aty pritet të ketë një rol protagonisti, ndërsa vlerësohet për aftësitë e mira teknike dhe fizike, si edhe për forcën në duelet me kundërshtarët dhe në luftën në ajër. Mbrojtësi kuqezi i bashkohet ekipit të drejtuar nga Davide Nicola me formulën e huazimit deri në fund të sezonit, ndërsa në kontratë është përfshirë edhe një klauzolë për të drejtën e blerjes përfundimtare të kartonit të futbollistit.

Crotone është skuadra e tretë italiane, me të cilën Ajeti do të luajë në Serinë A pas Frosinones, ku spikati në sezonin 2015-2016, por edhe pas aventurës nën pritshmëri te Torino gjatë edicionit të kaluar, ku luajti vetëm katër ndeshje me “granatat”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel