Botërori i Londrës, Luiza Gega përgatitet në Dardhë të Korçës

01/08/2017 00:00

Për t’iu arratisur temperaturave të nxehta të kësaj vere dhe për të përgatitur në kushte optimale kampionatin botëror, Luiza Gega ka gjetur strehim në freskinë e fshatit malor të Dardhës.

Kampionia shqiptare e atletikës për garat e mesme dhe të gjata synon podiumin, në turneun që nis në Londër pas një jave.

Nën petkun e rekordmenes kombëtare dhe kampiones së Europës për 1.500 metra, Gega është e vetmja atlete që ka arritur të kualifikohet në kampionatin botëror në garën 3.000 metra me pengesa. Problemet me kaviljen e kanë kushtëzuar stërvitjen e sportistes, që gjithsesi nuk tërhiqet.

Mbështetja pranë zeros që i ofron Federata e Atletikës e ka detyruar Gegën të kërkojë përfitime në garat individuale për sigurimin e të ardhurave, gjë që ka lënë pasoja në shëndetin dhe formën sportive.

Luiza Gega është e vetmja atlete nga Shqipëria, që ka kapur normat për t’u përfaqësuar në kampionatin botëror që zhvillohet në Londër, nga data 4 deri më 13 gusht. Atletja shqiptare do të garojë në datën 9 gusht, në stilin 3.000 metra me pengesa.

Top Channel