Neymar te PSG, Barcelona sytë nga Griezmann

01/08/2017 00:00

Barcelona tashmë e konsideron Neymar si një futbollist të larguar drejt Paris Saint Germain dhe kjo e ka shtyrë atë të nisë kërkimet për zëvendësuesin e tij në mënyrë që projekti sportiv i skuadrës të mos preket aspak nga ai që konsiderohet si transferimi i shekullit.

Në listën e dëshirave të Barcelonës janë disa futbollistë mes të cilëve, Dybala, Dembele, Verratti madje edhe Mbappe, por në orët e fundit dikush tjetër ka fituar terren ndjeshëm dhe është një emër të cilin tifozët e nënkampionëve të Spanjës e njohin shumë mirë, sulmuesi i Atletico Madrid, Antoine Griezmann.

Drejtuesit e Barcelonës kërkojnë një futbollist që ka një rendiment të lartë në fushën e lojës dhe Griezmann është ai që e plotëson më mirë këtë kriter. Për më tepër francezi e njeh shumë mirë kampionatin spanjoll duke qenë se prej kohësh është pjesë e tij me eksperiencat e përjetuara te Real Sociedad dhe Atletico Madrid.

Problemi në këtë pikë për Barcelonën është klauzola e kontratës së Griezmann me Atletico Madrid që kap shifrën e rreth 200 milionë Eurove, gjë që do të detyrojë klubin katalanas të nisë bisedimet me drejtuesit e Los Colchoneros për të blerë kartonin e futbollistit.

Top Channel