Skëndërbeu pret Europën. Kontigjent i plotë kunder Mllada

01/08/2017 00:00

Receta e Ilir Dajës për kualifikimin e Skënderbeut në fazën e “play off” në Europa League është e thjeshtë, edhe pse këtë javë korçarët do të duhet të përmbysin dizavantazhin 2-1 ndaj Mllada Boleslav.

“Mendojmë se duhet të jemi të kujdesshëm e të ekuilibruar që të mos i lëmë kundërshtarit hapësirat e duhura për të krijuar sulmin dhe kundërsulmin, sepse janë lojtarë që dinë ta bëjnë shumë mirë këtë”, deklaron Daja.

Kontigjenti i lojtarëve të Ujqërve të Dëborës është i plotë, me përjashtim të prapavijës.

“Vetëm Jashanica është në pikëpyetje sepse deri më sot ka bërë stërvitje të diferencuar. Ndërkohë janë rikthyer Lilaj, që mungoi për arsye kartonash në ndeshjen e parë dhe Xhejmsi, që stërvitet me grupin rregullisht”, thotë Daja.

Mbrojtësi Bajram Jashanica shpreson të kalojë problemet fizike, ndërsa mban në balancë shanset e kualifikimit më tej.

“Shanset janë 50 me 50. Me një gol kemi kualifikimin në dorë, por nuk duhet të harrojmë që kundërshtari ka ato të vetat dhe na ka mundur në ndeshjen e parë”, thotë Jashanica.

Ndeshjen mes Skënderbeut dhe Mllada Boleslav do ta drejtojë ukrainasi Sergei Boiko, përballje e cila nis të enjten në orën 20:00.

Top Channel