CR7, 90 minuta para gjykatësve: Nëse s’do isha Ronaldo, s’do isha këtu

31/07/2017 00:00

Në Spanjë pati një interesim të jashtëzakonshëm për atë se çfarë do të thoshte Cristiano Ronaldo në seancën e radhës gjyqësore, ku hetohet për evazion fiskal.

Ylli portugez i Realit të Madridit u shfaq pak më herët sesa mesdita e sotme përpara gjykatës në Pozuelo de Alarcon, në periferi të Madridit, ku dha dëshminë e tij.

Sipas prokurorisë spanjolle, “CR7” u ka fshehur organeve tatimore spanjolle plot 14.7 milionë euro. Ronaldo ka folur për rreth 90 minuta përpara gjykatësve e pak më herët ka publikuar edhe një komunikatë zyrtare, ku ndër të tjera thuhet se “kurrë nuk kam pasur synim t’i fsheh të ardhurat dhe të mos paguaj taksat”.

Portugezi iu është përgjigjur akuzave që i janë ngritur. E nëse rezulton të jetë vërtet fajtor, Ronaldo rrezikon një dënim nga 21 muaj deri në 7 vite burgim.

Në fund të dëshmisë së tij pritej një deklaratë e tij për shtypin, por “CR7” u largua pa folur me gazetarët. Më tej erdhi edhe saktësimi, përmes të cilit u njoftua se rreth pasdites do të dilte një komunikatë e avokatëve të tij, e më konkretisht nga agjencia “Gestifute” që menaxhon të drejtat e Cristianos.

Sa i përket dëshmisë, kanë dalë edhe të dhënat e para. “Nëse nuk do të quhesha Cristiano Ronaldo, nuk do të isha këtu”, besohet të ketë thënë ai përpara gjykatësve. Marrja në pyetje, sipas asaj që thotë “Marca”, zgjati 90 minuta, me lojtarin që u përpoq të jepte shpjegime mbi menaxhimin e të ardhurave të tij. Gjykatësit e kanë ndërprerë disa herë portugezin dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e përkthyesve, duke parë se Ronaldo nuk arrinte të shprehej qartësisht. Por ky i fundit këmbëngulte vazhdimisht… “Jo, dua të flas vet. Nëse nuk do të më quanin Ronaldo, sot nuk do të isha ulur këtu”.

Më tej erdhi edhe deklarata e lojtarit.

“Nuk kam fshehur kurrë asgjë dhe nuk kam pasur për objektiv të mos paguaj taksat. Agjencia spanjolle e tatimtaksave i njeh mjaft mirë në detaje të gjitha të ardhurat e mia, sepse u kemi dorëzuar gjithçka duhej për të”, ka shtuar Ronaldo, sipas asaj që publikon e përditshmja “AS”. “Gjithnjë kam bërë deklaratat fiskale, sepse mendoj se të gjithë duhet të paguajmë atë që e kemi për detyrim në bazë të të fitimeve tona. Kur firmosa për Realin e Madridit nuk krijova një strukturë speciale për menaxhimin e të drejtave të mia nga imazhi, por mbajta atë që kisha kur isha në Angli”, shpjegon më tej portugezi. Një strukturë që, siç thotë ai, “më është këshilluar nga avokatë anglezë e që në Angli është legjitime. Tashmë duket se është momenti që ta lëmë drejtësinë të funksionojë. Unë besoj te drejtësia dhe shpresoj që të marrin vendimin e duhur”, përfundon komunikata e lojtarit.

Top Channel