Mbetën të bllokuar në teleferik

31/07/2017 00:00

Rreth 100 njerëz u shpëtuan nga kabinat e tyre që mbetën të varura mbi lumin Rin, pasi një prej kabinave goditi një nga shtyllat e teleferikut, duke i lënë pasagjerët në lartësinë 40 metra mbi ujë.

Zjarrfikësit gjermanë të Këlnit kryen një operacion shpëtimi dramatik, por tejet të suksesshëm, e asnjë prej pasagjerëve nuk pësoi lëndime.

Pamjet e transmetuara nga mediet gjermane shfaqin prindërit, që me fëmijët e tyre në krahë zbresin nga lartësia ekstreme me litarë, mbi anijet e zjarrfikësve që i presin mbi lumë.

Gjermanë dhe turistë kishin mbushur kabinat e teleferikut, një nga atraksionet kryesore të Këlnit për të shijuar panoramën që ai ofron, por që fatkeqësisht u shndërrua në një histori frike.

Të paktën do të kenë çfarë t’u tregojnë të tjerëve për përvojën mbi lumë. Mësohet se, mes njerëzve të shpëtuar ishte edhe një femër shtatzënë, që fatmirësisht e kaloi këtë incident pa asnjë problem.

Pavarësisht dramës që kaluan për disa orë, dhjetëra pasagjerët e teleferikut duhet të ndihen me fat, pasi vetëm një javë më parë zjarrfikëst e Këlnit kishin kryer stërvitje dhe manovra në rast bllokimi të teleferikut.

Top Channel