City pritet të largojë 3 lojtarë. Kërkon një qendërmbrojtës

31/07/2017 00:00

Manchester City vazhdon të jetë aktiv në merkaton e transferimeve. Pasi shpenzoi 240.5 milionë euro për blerjen e 5 futbollistëve, tashmë “Citizens” i janë kthyer kapitullit të shitjes së futbollistëve.

Trajneri Pep Guardiola e ka të qartë se cilët janë lojtarët që do t’i japin lamtumirën skuadrës së tij, 2 prej të cilëve duket se janë Nasri dhe Mangala.

“Nasri e di shumë mirë situatën e tij. Kemi shumë futbollistë të repartit të mesfushës, kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë. E njëjta histori edhe me Mangala. Këta dy futbollistë do të duhet të marrin vendimin e tyre, së bashku me përfaqësuesit që kanë. Ne do të kujdesemi për ta, për sa kohë do të jenë ende pjesë e jona”, tha Guardiola.

Ai që e ka të sigurtë se do të largohet nga “Etihad Stadium” është Iheanacho, destinacioni i të cilit është Leicester City, diçka që u konfirmua nga vet Guardiola.

Deri në këtë moment, Manchester City ka akumuluar vetëm 41.4 milionë euro nga shitja e disa prej futbollistëve, por i duhen edhe më shumë të ardhura nëse dëshiron që të bëjë përforcime edhe në repartin e prapavijës, ku objektivi kryesor është blerja e një qendërmbrojtësi.

Top Channel