“Skuqet” Hungaria, Ferrari perfekt

30/07/2017 00:00

Ferrari dominoi në garën për Çmimin e Madh të Hungarisë duke u larguar prej andej me pikët maksimale.

Ferrari e mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme pjesën e parë të sezonit në Formula 1. kokëkuqja italiane triumfoi në Çmimin e Madh të Hungarisë duke e thyer garën në pistën e Hungaroringut në një paradë të vërtetë. Pasi shënoi dy kohët më të mira në provat zyrtare të së shtunës Ferrari me Sebastian Vettel dhe Kimi Raikkonen përsëriti veten e tij në garën e së dielës.

Vettel dhe Raikkonen bënë një start të përkryer të garës, ndërkohë që telashet i shkaktoi Red Bull e më konkretisht Max Verstappen dhe kjo ndodhi pasi kishin kaluar dy makinat Mercedes. Holandezi përplasi shokun e tij të skuadrës Ricciardon duke i dëmtua radiatorin e makinës që solli edhe tërheqjen e australianit, ndërsa vetë Verstappen u ndëshkua me 10 sekonda penalizim. Në pistë hyri makina e sigurisë që qëndroi për 5 xhiro për t’ia lënë vendin rifillimit të garës.
Ferrari dukej i qetë në krye të garës me Vettel dhe Raikkonen deri në momentin e hyrjes së parë në bokse në xhirot 31 dhe 34. Pikërisht në atë moment Ferrari dhe Sebastian Vettel patën probleme me ruajtjen e avantazhit ndaj makinave Mercedes që u hodhën në sulm, me Hamilton që i mori vendin e tretë shokut të tij të skuadrës Bottas në xhiron e 46 për të tentuar vendin e dytë.

Por Raikkonen u tregua një mjeshtër i vërtetë duke mundur të ruajë pozicionin e tij kundrejt Hamilton, ndërkohë që i dha mundësinë Vettel të shkonte drejt fitores. në xhiron e fundit Bottas fitoi të drejtën për të rimarrë vendin e tretë të kësaj garë që e sheh sërish Vettel të shkëputet nga Hamilton. tani gjermani është në kuotën e 202 pikëve, kundrejt 188 të britanikut. përsa i përket klasifikimit për konstruktorë, Mercedes është në krye me 357 pikë, ndërsa Ferrari ka 318 pikë.

Top Channel