Inter, Joao Mario: Numri 10, përgjegjësi. Interi, jo për titull

30/07/2017 00:00

Ai do të mbajë tashmë numrin 10 dhe, falë kujdesit të veçantë që ka marrë nga Spalletti, pritet të jetë udhëheqësi i ri i zikaltërve të Interit. Bëhet fjalë për Joao Marion.

Sipas fantazistit portugez, Interi i këtij sezoni do të jetë një ekip për t’u vlerësuar me notën 10. Në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello Sport”, mesfushori rrëfen mes të tjerash se ndryshimi i numrit të fanellës, nga 6 që ka mbajtur vjet në 10 që do të mbajë këtë vit, është thjesht një përgjegjësi më shumë për të.

“Fanella me numrin 10 është speciale në cilindo ekip, por mbi të gjitha këtu tek Interi. Megjithatë, është e qartë se ajo që jap në fushën e lojës nuk varet aspak nga numri i fanellës që mbaj mbi shpinë”, thotë Joao Mario.

I pyetur në lidhje me pozicionin e preferuar në fushë, pasi nga trajneri i ri i Interit po përdoret edhe si fantazist prapa sulmuesve (trekuartist), ndërkohë që ai mund të luajë edhe si mesfushor i tërhequr apo edhe si anësor sulmues siç luajti në Europian, portugezi përgjigjet se të sulmojë i pëlqen më shumë sesa të mbrojë.

“Gjithsesi, gjëja vendimtare në ekipin tonë është që skuadra të mund të zotërojë sa më shumë topin. Vitin e kaluar kjo gjë ndodhte rrallë herë, ndaj dhe ishte gjithçka e vështirë”, shprehet numri 10 i Interit.

Portugezi thotë ndër të tjera se dora e Spallettit është ndjerë shumë në skuadër dhe të gjithë lojtarët e ndjekin me pasion, pasi kanë kuptuar se kjo është rruga e duhur për të ecur në nivele më të larta. Sipas tij, trajneri nuk mund të vinte duke buzëqeshur në një ekip që kaloi një sezon të vështirë, ndaj dhe është e natyrshme që të jetë serioz dhe të pretendojë shumë prej futbollistëve.

Sa i përket luftës për titull, Joao Mario e përjashton Interin, pasi thotë se Juventusi është ende favorit, ndërkohë që Napoli dhe Roma kanë ekipe të pandryshuara prej kohësh. Portugezi nuk lë pa harruar edhe rivalët e Milanit, që kanë ndryshuar shumë, ndaj dhe “pas bardhezinjve, – siç shprehet ai, – do të jetë një betejë mes 4 skuadrash për 3 vendet e Championsit”.

Top Channel