Prezantohet Milinkoviç: Do marrim tripletën

29/07/2017 00:00

Kukësit ka prezantuar ditën e shtunë trajnerin e ri për sezonin e ardhshëm, i cili është serbi Mlladen Milinkoviç.

49-vjeçari, i cili në vitin e shkuar u njoh në sajë të drejtimit shumë të mirë të gjirokastritëve të Luftëtarit, do të pasojë Ernest Gjokën në stolin e verilindorëve.
Në prezantimin e tij, presidenti Safet Gjici, veç mbështetjes, thekson edhe objektivin e panegociueshëm.

“Jemi gati ta mbështesim trajnerin në çfarëdo lojtari që kërkon, për të arritur objektivin. Objektivi ynë i panegociueshëm, është titulli kampion” tha presidenti i Kukësit, Safet Gjici.

Ndërkohë, fjalët e para si trajner i Kukësit, Milinkoviç përpiqet t’i thotë shqip, duke i premtuar gazetarëve si fillim intervista në shqip në vazhdim, ndërkohë që kuksianëve i ka premtuar tripletën.

“Përshendetje. Më vjen keq që nuk mund t’ju flas shqip, por ju premtoj që brenda pak muajsh do të flas shqip me ju. Jam shumë i kënaqur që kam firmosur me nje skuadër të madhe si Kukësi. Shpresoj që të bëj të lumtur tifozët kuksianë, por edhe presidentin, me punën time. Do të fillojmë një projekt të ri dhe objektivi ynë do të jetë tripleta e trofeve, superkupa, kupa dhe kampionati”, tha Milinkoviç në prezantimin e tij si trajner i kuksianëve. 

Top Channel