Kalimi i Mladas, Skënderbeu optimist

28/07/2017 00:00

Humbja 2-1 në transfertën ndaj Mllada Boleslav nuk i ka zbehur shpresat e Skënderbeut për të kaluar turin e tretë të Europa ligës.

Ekipi i vetëm shqiptar i mbetur në kompeticionet futbollistike kontinentale javën e ardhshme ndaj cekëve do të synojë të zhvlerësojë disfatën dhe nëse ia arrin, do të kalojë në play off.

“Kemi shënuar në fushë kundërshtare, pavarësisht se kundërshtari në pjesën e parë pati disa situata në portën tonë. Mundësitë i kemi, por që duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse kemi përballë një ekip që përveç potencialit individual, ka edhe një lojë shumë të mirë në grup, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Kemi mundësitë tona, por duhet të jemi të kujdesshëm”, thotë trajneri i korçarëve, Ilir Daja.

Në rikthimin në tokën shqiptare, skuadra që ka shkruar historinë në dekadën e fundit kërkoi një fitore të ngjashme me atë që regjistroi ndaj Kairat Almaty, çka praktikisht do të shtonte prestigjin e korçarëve dhe do të përmirësonte ndjeshëm financat e Skënderbeut.

“Sigurisht që po të luanim në Korçë do të ishte më mirë, sepse dihet ndikimi që të jep tifozeria, por kam besim që tifozeria do të na përkrahë. Besoj që është një plus që tani e njohim më mirë kundërshtarin dhe do të bëjmë maksimumin për t’u kualifikuar dhe shpresat janë të mëdha”, thotë portieri i Skënderbeut, Orges Shehi.

Ndaj Mllada Boleslav të enjten në orën 20:00, në ndryshim me sfidat e kaluara këtë sezon në Europa Lig, Skënderbeu do të luajë në Elbasan Arena dhe jo në stadiumin e Korçës.

Top Channel