Neymar larg Barcelonës, grindje fizike dhe tifozët kundër

28/07/2017 00:00

Në një kohë kur klima në një skuadër futbolli duhet të jetë optimale në sinkron me përgatitjet për sezonin e ri, vazhdon të krijojë tensione artificiale situata që lidh Neymar me largimin nga Barcelona.

Kapitulli i fundit që shtohet në marrëdhëniet me katalanasit dhe tratativat e futbollistit me PSG, është një grindje fizike në stërvitje.

Neymar pati një përplasje me Semedon, blerjen më të re të klubit “blaugrana” që ndërhyri ashpër në këmbët e kapitenit të kombëtares braziliane. Ky i fundit reagoi edhe më keq duke humbur kontrollin dhe u desh ndërhyrja e Maskerano dhe Buske për të evituar përshkallëzimin e situatës.

Braziliani që ishte dukshëm nervoz edhe me stafin, braktisi stërvitjen e programuar në vigjiljen e miqësores ndaj Real Madrid, dhe gjithçka në sytë e trajnerit Valverde që po mësohet me idenë se ndoshta nuk do ta ketë më në ekip.

Këtyre skenarëve i shtohet anulimi i vizitës së Neymar në Kinë, për një event promocional të sponsorëve si dhe kontestimet e tifozëve. Kështu mblidhen disa indicie që çojnë sulmuesin brazilian edhe më pranë francezëve të PSG.

Top Channel