Komisioni Europian i ka dhënë Greqisë një ndihmë emergjente prej 209 milionë euro, për refugjatët, të cilët ndodhen në tokën greke.

Programin e ndihmës e kanë komunikuar në Athinë, komisionerët përkatës të BE-së,  Christos Stilianidis dhe Dhimitris Avramopoulos.

“Për refugjatët dhe emigrantët, kjo është një mënyrë për t’u integruar më mirë në shoqërinë greke. Siç e tha një prej kryebashkiakëve, është tjetër gjë të jetosh në kamp dhe tjetër gjë të jetosh me dinjitet”, u shpreh Christos Stilianidhis, komisioneri i BE për ndihmën humanitare dhe menaxhimin e krizës.

Qëllimi kryesor i kësaj ndihme është që të rritet deri në 30 mijë, numri i refugjatëve që brenda këtij viti, do të zënë shtëpi me qera në Greqinë kontinentale dhe në ishuj, ndaj dhe në këtë program, marrin pjesë edhe bashkitë e qyteteve të  Athinës, Selanikut, Larisës, Kardhicës dhe Kretës.

Gjithashtu një shumë prej 57,6 milionë euro do t’u jepet refugjatëve  në karta debiti mujore, për të mbuluar nevojat emergjente në ushqime, barna dhe lëvizjen me mjetet e shërbimit urban.

Në Greqi, rreth 62 mijë refugjatë dhe emigrantë, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku, jetojnë në kushte shumë të vështira në kampet pritëse të vendit, prej marsit të 2016-ës, kur shtetet ballkanike mbyllën kufijtë e tyre, duke ndërprerë fluksin drejt Europës Qendrore.

“Europa është duke u testuar sot dhe në fund të fundit nuk është kriza financiare që rrezikon  themelet e Europës, ashtu siç kanë besuar shumica, por është menaxhimi i krizës së refugjatëve”, tha Dhimitris Avramopoulos, komisioneri i BE-së për Emigracionin.

Financimi i ri do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e dhënies së ndihmës dhe do të përmirësojë jetën e këtyre njerëzve, duke i bërë ata që të ikin nga kampet dhe të integrohen në mënyrë të natyrshme, kanë theksuar komisionerët europianë, ndërsa ministri grek i Emigracionit ka deklaruar se për herë të parë  integrohet një numër kaq I madh refugjatësh, në një vend që po kalon një krizë ekonomike.

Top Channel