Milan ‘minimal’ në Rumani

27/07/2017 00:00

Milani e ka nisur mbarë sezonin e ri, duke fituar në ndeshjen e parë zyrtare, atë të eliminatoreve të Europa League, ndaj rumunëve të CS U Craiova.

Kuqezinjtë kanë fituar me rezultatin minimal, 0-1, në këtë transfertë, duke hipotekuar kualifikimin për në fazën tjetër eliminatore.

Për ekipin e Montella-s, ka mjaftuar një gol i shënuar nga një prej blerjeve të kësaj vere, mbrojtësit zviceran Rodriguez, në fundin e pjesës së parë.

Në këtë takim, për Milanin janë aktivizuar gjashtë lojtarë të afruar këtë verë, katër prej të cilëve si titullarë dhe dy në pjesën e dytë.

Në ekip mungonin blerjet më të bujshme, Leonardo Bonucci dhe Lucas Biglia, të cilët nuk ishin federuar nga kuqezinjtë, për këtë fazë të eliminatoreve.

Ndeshja e kthimit midis Milanit dhe Craiovas, do të luhet të enjten e ardhshme në San Siro, ku interesi i lartë për të parë blerjet e reja, pritet të sjellë mbi 60 mijë spektatorë në shkallët e stadiumit.

Top Channel