Parlamenti i Malit të Zi votoi për heqjen e imunitetit të katër deputetëve të opozitës, nën akuzë se kanë nxitur dhunë brenda ambjenteve të Kuvendit.

Episodi daton nga muaji shkurt, kur një masë e ngjashme u mor ndaj dy pro-rusëve Andrija Mandiç dhe Millan Knezheviç dhe grupe ligjvënësish rivalë pas kësaj u përleshën me njëri-tjetrin brenda ndërtesës së Parlamentit.

Mandiç dhe Knezheviç, nga partia opozitare Fronti Demokratik, u zhveshën nga imuniteti për shkak të dyshimeve për përfshirje në komplotin e vitit të kaluar për grusht shteti.

Dhuna e atëhershme i kushtoi tani mandatin katër deputetëve, përfshirë një femër, Marina Joçiç. Vendimi u mor në fundin e një seance mjaft të tensionuar që zgjati deri mesnatën e së mërkurës. Mocioni kundër tyre u kërkua nga Zyra e Prokurorit të Shtetit.

Vetëm disa muaj pas tentativës së dështuar për puç, pas së cilës mendohet gjerësisht se qëndronte Rusia, Mali i Zi u bë vend anëtar i NATO-s, një lëvizje kjo që e redukton akoma më shumë ndikimin e Moskës në Europën jug-lindore dhe i heq asaj aksesin në të ashtuquajturat “dete të ngrohta” në kontinentin e vjetër, të cilat mund të përdoreshin si baza për ndërhyrje ushtarake në Lindjen e Mesme.

Më dy gusht, në Podgoricë do të mbërrijë zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, çka e bën atë zyrtarin më të lartë të administratës Trump që viziton rajonin.

Top Channel