UEFA, Villar jep dorëheqjen

27/07/2017 00:00

Angel Maria Villar jep dorëheqjen nga të gjitha funksionet e tij në UEFA. Nëpërmjet një letre të drejtuar Aleksander Ceferin, presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Villar theksonte se e jepte dorëheqjen e tij nga posti i zëvendëspresidentit të UEFA dhe si anëtar i komitetit Ekzekutiv me efekt të menjëhershëm, një akt që është pranuar nga Ceferin, i cili e falenderoi Villar për shërbimin që i bëri futbollit europian.

Vetëm pak ditë më parë u mësua se si FIFA ashtu edhe UEFA kishin vendosur të shkarkonin Villar nga funksionet e tij pas arrestimit në Spanjë me akuzën e korrupsionit, nëse ai nuk do të jepte dorëheqjen. Tani pritet që Villar të bëjë të njëjtën gjë edhe në FIFA dhe t’i paraqesë Infantinos dorëheqjen nga posti i zëvendëspresidentit të institucionit.

Kodi i ri i Etikës së FIFA e thotë qartë se nëse anëtarë të institucionit janë nën hetim për çfarëdolloj krimi jashtë apo brenda vendit, nuk do të mund të ushtrojnë detyrat që kanë dhe do të shkarkohen nga të gjitha funksionet. Infantino pret Villar të ndërmarrë këtë hap, përpara se ai të vendosë të aplikojë këtë rregull.

Top Channel