Mourinho për merkaton: Po del jashtë çdo kontrolli

26/07/2017 00:00

Merkatoja e transferimeve këto ditë është nxehur jashtë masave për shkak të ofertave marramendëse të klubeve të ndryshme për futbollistë të caktuar, siç është rasti i Realit të Madridit apo Paris Saint Germain në tentativat e tyre për Mbappe e Neymar.

Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho nuk ka ngurruar të bëjë kritikat e tij për lëvizjet e këtyre skuadrave duke thënë se situata tashmë ka dalë jashtë çdo lloj kontrolli

“Të gjithë klubet po marrin futbollistë të mirë dhe po bëjnë shumë investime”, thai Mourinho. “Disa klube po bëjnë oferta të tepruara për ta duke bërë që merkatoja e transferimeve të jetë shumë e çuditshme dhe e dalë jashtë çdo kontrolli. Por ky është realiteti”.

Duke u kthyer te skuadra e tij, Mourinho deklaroi se do t’i pëlqente që skuadra e tij të përforcohet edhe me 2 emra të rinj.

“Jam i kënaqur me skuadrën time aktuale, por do të më pëlqente të kisha edhe 2 elementë të tjerë”, tha Mourinho. “Asnjëherë nuk e kam fshehur këtë. Një mesfushor tjetër do të më jepte më shumë mundësi për të krijuar ekuilibër në skuadër, ndërsa një sulmues krahu do të rriste akoma më shumë forcën e këtij reparti. Megjithatë unë kurrë nuk flas për futbollistë që i përkasin skuadrave të tjera, nuk është korrekte. Unë dua 2 lojtarë të rinj, por ndoshta do të marr vetëm 1”, tha trajneri i Manchester.

Top Channel