Coutinho te Barcelona për 75 milionë euro, por Neymar…

26/07/2017 00:00

Ndërsa ende nuk është mbyllur përfundimisht e ardhmja e brazilianit Neymar, Barcelona është pranë transferimit të një tjetër mesfushori të klasit botëror.

Është fjala për Coutinho të Liverpool, i cili është vetëm një hap larg transferimit në Barcelonë pasi klubi spanjoll ka arritur në parim marrëveshjen me Liverpoolin për transferimin e brazilianit në “Camp Nou” për 75 milionë euro.

Drejtuesit e klubit katalanas besojnë se afrimi i talentit të Seleçaos do ta bëjë Neymar të qëndrojë, pavarësisht ofertës tunduese të PSG. Një lëvizje e zgjuar nga ana e Barcelonës pasi sipas “Le Parisien”, PSG planifikonte pikërisht blerjen e Coutinhos për të plotësuar dëshirat e Neymar. I qartë duket edhe trajneri Unai Emery që nga SHBA ku skuadra ndodhet për turneun veror u përgjigj: “Klubi po punon mirë që ne të zhvillojmë një sezon pozitiv me ata që janë dhe me ata që do të mbërrijnë”.

Regjisori i këtij filmi duket se është i ati i Messit, i cili ka një influencë të madhe në botën e futbollit. Është pikërisht sulmuesi argjentinas që i ka kërkuar të bëjë lëvizjet e tij për të nxitur transferimin e Coutinhos në Barcelonë, por arsyeja nuk dihet. Ka nga ata që mendojnë se Messi dëshiron qëndrimin e Neymar, por nuk mungojnë as aludimet se numri 10 synon ta largojë përfundimisht brazilianin nga Katalonja. Cila është e vërteta? Vetëm fundi i merkatos së çmendur të verës do të nxjerrë në shesh shumë prapaskena.

Top Channel