Gjici: Po të isha unë trajneri…

25/07/2017 00:00

Për herë të parë pas eliminimit nga Champions League, Presidenti i Kampionëve të Shqipërisë, Safet Gjici tregon për Top Channel analizën e tij rreth kësaj disfate siç e quan ai, sportive historike, por edhe financiare.

“Kam bërë një analizë me veten dhe mendoj se një nga arsyet është mungesa eksperiencës së trajnerit. Më ka mbetur diçka peng; po të isha unë trajner nuk do ja lija atë penallti Pejiçit. Atij i është thënë që në rast se do të ketë penallti mos ta gjuante Pejiç. Të isha unë do të vendosja ta gjuante Emini”, thotë Gjici.
 
Por çfarë do të ndodhë me trajnerin Gjoka, i cili në këto momente nuk është më trajneri i Kukësit.

“Gjithmone testi për të qenë trajner i Kukësit ka qenë turi i parë i ndeshjeve në Europë. Por, një profesionist kur e sheh që dëmtoi klubin, historinë dhe anën financiare duhet të ikte vetë”, deklaron presidenti i kuksianëve.
 
Presidenti Gjici mendon se tashmë ka ezauruar gjithçka me trajnerët shqiptar.

“Gjithmonë kam promovuar trajnerët shqiptarë në këto 5 vite, por tani ka ardhur momenti që nuk shoh më të ketë profesionistë për të dalë kampionë, për këtë arsye duhet parë për trajner të huaj”, thotë ai.

Ndërkohë, sa i përket skuadrës duket se gjithçka është nën kontroll dhe asnjë lojtarë nuk do të largohet, veç Pejiçit, për të cilin mundësitë që të qëndrojë janë më të pakta. 

“Shameti dhe Karioka janë duke u negociuar për të rinovuar. Kemi firmosur kontratën e re me Eminin, ndërsa Pejiçit i ka përfunduar kontrata dhe do të shohim ne nëse do të na duhet më apo jo”, thotë Gjici.

Sa u përket dyshimeve për trukime ndeshjesh në Austri, Gjici garanton sërish që nuk ka asgjë të vërtetë, thjesht sulme që janë inicuar nga Shqipëria.

“Kurrë! Jo ndeshje miqësore, por as nëpër mend nuk e kam çuar një gjë të tillë. Ne u shpallëm kampionë për herë të parë dhe filluan menjëherë sulmet nga Shqipëria. Në dijeninë time nuk është gjetur asnjë provë, nuk ka asnjë problem”, deklaron Gjici.

Top Channel