Brazili kërkon dosjen e ish-kreut të Federatës

25/07/2017 00:00

Prokuroria braziliane iu kërkoi autoriteve të drejtësisë spanjolle transferimin e procesit penal për ish-presidentin e Federatës së Futbollit, Ricardo Teixeira, i cili akuzohet për pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, organi i akuzës në Brazil bëri të ditur se kërkoi nga Spanja që të lejohet të marrë informacione për detajet dhe provat e gjetura në hetimet ndaj Teixeirës.

Prokuroria iberike e ka përqendruar hetimin te fshehja e të ardhurave të fituara në mënyrë të paligjshme nga shitja e të drejtave televizive të ndeshjeve të përfaqësueses braziliane nga ana e Federatës Braziliane tek International Sports Events me seli në Ishujt Kaiman.

Sipas mediave lokale, Ricardo Teixeira dhe ish-presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, që është arrestuar tashmë dhe ndodhet në burg për përvetësim të 7.3 milionë Eurove nga futbolli brazilian, përdorën kompani fantazmë dhe llogari bankare në vendet e quajtura parajsa fiskale për të fshehur këto të ardhura.

Ricardo Teixeira ka qenë presidenti i Federatës Braziliane të futbollit në periudhën 1989-2012, kur dha dorëheqjen pas akuzave për korrupsion.

Teixeira rezulton se është akuzuar edhe në Brazil për pastrim parash, evazion fiskal, falsifikim të dokumentave publike dhe atyre të analizuara nga Policia Federale braziliane që kishin të bënin me lëvizjet bankare gjatë periudhës kur ishte në krye të Komitetit Organizativ të Botërorit 2014.

Top Channel