Venezuela “vjedh” Despaciton

25/07/2017 00:00

Këngëtarët e hitit global “Despacito” janë tërbuar nga lajmi se qeveria venezueliane po e përdor krijimin e tyre si mjet propagande.

Presidenti Nicolas Maduro prezantoi një version të ndryshuar të saj në spektaklin e tij të përjavshëm televiziv të dielën, ku teksti i këngës ishte modifikuar për të promovuar planet e tij të një asambleje të re qytetare, e cila të rihartojë Kushtetutën e vendit.

Portorikanët Luis Fonsi dhe Daddy Yankee reaguan të zemëruar përmes medias sociale. “Në asnjë moment nuk u pyeta e as kam autorizuar përdorimin apo ndryshimin e tekstit të “Despacito” për qëllime politike, e aq më pak, do ta bëja këtë në mesin e një situate të mjerueshme siç është ajo që po përjeton sot Venezuela, një vend të cilin e dua shumë”,shkruan Fonsi

“Muzika ime është për të gjithë ata që duan të dëgjojnë e ta shijojnë, e jo të përdoret si propagandë në përpjekje për të manipuluar vullnetin e një populli që thërret për liri”, vazhdon ai.

Daddy Yankee postoi në Instagram një foto të Maduros me një kryq të madh të kuq sipër. “Fakti që në mënyrë të paligjshme ke përvetësuar këtë këngë nuk krahasohet dot me krimet që ke kryer e vazhdon të kryesh në Venezuelë”, shfryhet këngëtari.  “Regjimi yt diktatorial është një tallje, vazhdon ai, jo vetëm për vëllezërit e mi venezuelianë, por për të gjithë botën”.

Despacito do të thotë ngadalë, duke iu referuar shpejtësisë së teknikës së joshjes, por varianti i modifikuar venezuelian e përdor për t’i treguar njerëzve që ngadalë, të përdorin votën në vend të armëve, e të shprehin idetë e tyre në paqe dhe qetësi. Venezuela është përfshirë muajt e fundit nga protesta të dhunshme kundër regjimit dhe javën e kaluar, grevës së përgjithshme iu bashkuan miliona vetë.

Top Channel