Mandati i Nishanit. Dritëhijet e presidentit të gjashtë

24/07/2017 00:00

Bujar Nishani u zgjodh presidenti i gjashtë i Shqipërisë pas pluralizmit, më 11 qershor 2012.

Pas dështimit të tre raundeve të para dhe pas tërheqjes së kandidaturës së Artan Hoxhës, Partia Demokratike propozoi emrin e ministrit të Brendshëm në atë kohë, Bujar Nishani, i cili u zgjodh në këtë post me 73 vota.

Kjo ditë do të ishte dhe hera e fundit që Bujar Nishani i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë me një fjalim, pasi ndryshe nga të gjithë parardhësit e tij, në 5 vite në detyrën e kreut të shtetit, asnjëherë nuk iu drejtua Parlamentit.

Më 24 korrik 2012, Nishani mori zyrtarisht detyrën. Paragjykimet për të ishin të shumta që në marrjen e detyrës, pasi ai vinte nga radhët e Partisë Demokratike dhe për shumëkënd, ai do t’i shërbente kësaj force.

Dyshim ky që u përforcua pas shkarkimit të kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror vetëm 16 ditë pas marrjes së detyrës. Shkarkim ky që ishte kërkuar prej gati më shumë se 1 vit e gjysmë nga kryeministri i kohës, Sali Berisha.

Por zgjedhjet e 2013-s sollën Partinë Socialiste në pushtet dhe Edi Ramën kryeministër. E këtu do të niste dhe përplasja e cila nuk do

 të përfundonte asnjëherë mes kreut të shetit dhe kryeministrit. Edi Rama në shumë raste e ka shprehur hapur opinionin e tij për Nishanin, duke e konsideruar si të papërshtatshëm për atë post, ndërsa Nishani nga ana e tij është munduar, edhe pse jo gjithmonë ia ka dalë, që të jetë mbi palët.

Në 5 vite detyre, 4 prej të cilave me qeverinë e Partisë Socialiste, përplasjest mes Presidencës dhe Qeverisë kanë qenë të shumta. Kthimet e të paktën 17 ligjeve për rishqyrtim në Parlament kanë sjellë dhe acarimin e marrëdhënieve mes Kryeministrisë dhe Presidencës.

Nga ligjet e kthyera vlen të përmenden disa me rëndësi si ai për “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, “Per arsimin e lartë”, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, apo ligji i Pronave, të cilin Nishani e ankimoi dhe në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesë e cila u rrëzua.

Por Nishani do të mbahet mend dhe për dy përplasje të forta, një me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për parkun tek Liqeni Artificial dhe incidenti me Visar Zhitin.

Nishani akuzoi Erion Veliajn për shpifje, madje edhe e paditi atë në gjykatë, ndërsa vetë nuk hezitoi të shkonte dhe të vizitonte nga afër protestuesit që ishin kundër ndërtimit të parkut të lojrave tek Liqeni Artificial, duke u dhënë atyre mbështetjen e tij. Në fund parku u ndërtua, ndërsa padia ndaj Veliajt u rrëzua nga gjykata.

Një tjetër rast i paprecendet ishte dhe ngjarja e ndodhur korrikun e kaluar, kur gjatë punimeve të Konferencës së Ambasasdorëve, kur të gjithë diplomatët shqiptarë u mblodhën në Tiranë, kreu i shtetit, edhe pse kishte parashikuar një takim me ta, e anuloi atë.

Shkak ishte Visar Zhiti, i ngarkuari me punë i Shqipërisë në Vatikan, të cilin nuk e dekretoi si ambasador pas përplasjeve publike që kishin pasur mes tyre.

Në vitin 2015 presidenti Nishani do të ankohej se i ishte refuzuar kërkesa për të pushuar në Vilat Qeveritare në Dhërmi, ngjarje të cilën ai e denoncoi disa herë në media.

Por Nishani do të mbahet mend dhe si presidenti i parë i cili “kërcënoi” se do të dërgonte në Gjykatën Kushtetuese projekt-buxhetin, pasi sipas Institucionit të Presidencës nuk i ishin akorduar fonde të mjaftueshme.

E në fund, dekoratat kanë qenë një tjetër pike për të cilën ai do të mbahet mend. Gjatë 5 viteve të tij në krye të shtetit, Nishani ka akorduar 1.013 të tilla.

Top Channel