Bushi: Irlanda dhe Islanda, transferta të vështira, luajmë me zemër

24/07/2017 00:00

Në 31 Gusht transferta kundër Irlandës së Veriut në “Mourneview” Park të Lurgan dhe 4 ditë më pas një tjetër ndeshje e vështirë në Islandë kundër nordikëve në Reykjavik.

Fundi i muajit të ardhshëm dhe fillimi i Shtatorit do të jetë i zjarrtë për 21-vjeçarët e Alban Bushit që do të luajnë dy sfida vendimtare për eliminatoret e Euro 2019.

Trajneri i Shpresave ka folur për “Supersport”, ku i vlerësoi si tejet të vështira dy përballjet e radhës, ndërsa theksoi se do të dëshironte që skuadra të bënte të njëjtën lojë po ashtu si ndaj Estonisë, ndeshje në të cilën fitoren Shpresave ja mohoi vetëm fati.

“Pushimet janë shumë pak, por nuk mendojmë për pushimet, por për lojtarët sepse në 31 gusht nuk kanë ndeshje kampionati dhe nuk mund të jenë në gjendjen e tyre optimale”.

Trajneri i Kombëtares Shpresa shton më tej se këto dy sfida do të jenë  teste shumë të vështira edhe për faktin se kundërshtarët po luajnë aktualisht në kampionatet respektive.

“Kemi marrë 30 lojtarë dhe në Irlandë do të vijnë vetëm 23. Besoj të jenë të gjithë në formë. Kemi kontaktuar me ta. Irlanda dhe Islanda do të jenë në formën më të mirë, por shpresoj të bëjmë më të mirën”.

Barazimi me Estoninë në sfidën e parë eliminatore të grupit 2 rezultoi një ndeshje e pafat për kuqezinjtë, por Bushi kërkon nga skuadra që të tregojë të njëjtin shpirt gare në fushë edhe për dy ndeshjet e radhës.

“Futbolli është i çuditshëm, por unë jam i kënaqur nëse do të luajmë si me Estoninë. Nëse luajmë keq dhe pa dëshirë atëherë është një problem i madh”, tha Bushi.

Top Channel