Merkato dhe në NBA, Irving nuk do jetë me “kavalier”

23/07/2017 00:00

Temperaturat e nxehta të verës në kampionatin amerikan të basketbollit lëvizën Kris Pol te Hjuston Rokets, dhe Pol Xhordh te Oklahoma, por nuk duket se do të jetë vetëm kaq, panorama e lëvizjeve të bujshme në merkaton e koshave.

Transferimi më i madh pritet ende të ndodhë me Kajri Ajrving që tashmë kërkon largimin sa më shpejt nga skuadra e Klivlend Kavaliers.

Basketbollisti amerikan u takua me drejtuesit e ekipit duke i bërë të ditur dëshirën për të luajtur me një fanelë tjetër. Destinacioni i radhës në karrierën e tij pritet të jetë Majemi Hits, San Antonio, Nju Jork Niks, ose Minesota.

Sipas mediave amerikane, Kyrie Irving duket se është lodhur duke luajtur nën hijen e gjigantit Lebron James. “Playmaker”-i takoi menaxherin e Cavaliers, duke i treguar qartësisht se koha e tij në Klivlend ka mbaruar, madje zbuloi dhe alternativat e ardhshme.

San Antonio Sërs dhe Niks janë vënë menjëherë në lëvizje për të siguruar basketbollistin e njohur që në çdo rast do t’i çojë në sakrifica ekonomike për ta bindur, edhe nëse në Nju Jork, përfshihet Entoni si monedhë këmbimi.

Top Channel