Tour de France, Boasson Hagen fiton etapën e 19-të

22/07/2017 00:00

Boasson Hagen është fituesi i etapës së 19 të Turit të Francës. Ciklisti norvegjez, për të cilin ky është suksesi  i tretë në karrierë në Grande Boucle, u bë protagonist në këtë etapë 222 km të gjatë.

U përshkuan vetëm 20 km nga starti i etapës kur një grup prej 20 ciklistësh u shkëputën nga pjesa tjetër e garuesve dhe mes tyre ishte edhe Boasson Hagen.

Skuadra e Team Sky e Chris Froome nuk u shqetësua aspak dhe u la rrugë të lirë atyre që kishin marrë këtë arratinë, të cilët krijuan një diferencë prej më shumë se 7 minutash, distancë kjo që me kalimin e kohës u thellua akoma më shumë.
Momenti kyç i etapës ishte ai i 20 km të fundit kur Keukeleire sulmoi për t’u shkëputur nga grupi kryesues por atij iu bashkuan edhe 8 ciklistë të tjerë mes të cilëve edhe italiani Bennati dhe Boasson Hagen.

Ky i fundit arriti të kursejë energjitë për të bërë sulmin e tij  kur kishin mbetur 2 km nga fundi i etapës duke i lënë të gjithë prapa për të kaluar i pari vijën e finishit.
Pas kësaj etape, Chris Froome qëndron ende në krye të renditjes së përgjithshme duike iu afruar akoma më shumë suksesit të tij të katërt në Turin e Francës. Në vendin e dytë qëndron Barde me 23 sekonda më shumë, ndërsa i treti është Uran me 29 sekonda më shumë se ciklisti britanik.

Top Channel