I “burgosur” te Chelsea, Conte shpjegon situatën e Costa-s

21/07/2017 00:00

Diego Costa vazhdon të konsiderohet një futbollist i huaj për Chelsea-n, jo në aspektin e kombësisë sesa në distancimin e “Bluve të Londrës” ndaj një futbollisti që kontribuoi jo pak për titullin. Por edhe pse ende nuk ka gjetur klubin e tij të ri dhe me të gjitha gjasat nuk do veshë më fanelën e ekipit londinez, për sulmuesin e lindur në Brazil,  trajneri Conte dha shpjegimin e tij.

“Nuk dua të flas për futbollistët që nuk janë këtu, por mund t’ju them që në rastin e Diego Costa-s, situata ishte e qartë që në muajin janar. Këtë ia bëmë të ditur agjentit të lojtarit dhe vetë protagonistit dhe për mua është çështje e mbyllur”, tha trajneri i Chelsea.

Sulmuesi që mbron ngjyrat e kombëtares spanjolle kërkoi në merkaton e dimrit që të shkonte në Kinë me ekipin e Tianxhin, por nuk u lejua dhe kjo krijoi krisjen fatale me Chelsea. Diego Costa kërkon tani të rikthehet te Atletico Madridit, por marrëveshja është ende pezull për shkak të bllokadës që FIFA i ka imponuar klubit spanjoll.

Një mundësi tjetër është që futbollisti të huazohet në ligat aziatike për të hequr qafe barrën e rëndë financiare te Chelsea-t, deri në zhbllokimin e merkatos së Atletico-s në muajin janar.

Top Channel