CLRSD: Lobim pranë qeverisë për firmosjen e Paktit Global për Punën e Denjë

21/07/2017 00:00

Qendra për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social “CLRSD” ka përmbyllur monitorimin e programeve politike të secilës prej partive që përfaqësohen në Parlament. Fokusi i këtij studimi ishte monitorimi i nivelit të përfshirjes së punës së denjë dhe katër komponentëve të saj në axhendat dhe dokumentet politike përpara dhe gjatë fushatës elektorale referuar planeve për 4 vitet e ardhshme.

Si një prej elementëve kyç të garantimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe reduktimit të varfërisë, puna e denjë përbëhet nga komponentët e punësimit, mbrojtjes sociale, të drejtave të punëmarrësve dhe dialogut social.

Shqipëria konsiderohet se është në fazat e para të zhvillimit për sa i takon axhendës së punës së denjë. Nga leximi i programeve dhe manifesteve politike të publikuara të partive, konstatohet se forcat kryesore e kanë të përfshirë punën e denjë. Megjithatë, ato kanë tendencën të adresojnë vetëm dy prej katër komponentëve përbërës të punës së denjë: punësimin dhe mbrojtjen sociale. Dialogu social dhe të drejtat e punëmarrësve nuk gjenden në këto dokumente programore politike të forcave kryesore.

“Partia Socialiste e ka përfshirë në nënkapitull të veçantë politikën e punësimit dhe mbrojtjes sociale. Ajo fokusohet më shumë në rolin që Arsimi dhe Trajnimi Profesional mund të luajë në ngushtimin e diferencës mes asaj çka kërkon tregu i punës dhe asaj çka punëmarrësit ofrojnë. Gjithashtu, kjo parti e sheh mbrojtjen sociale, më së shumti në formën e programeve të mbështetjes me para në dorë si detyrim primar i qeverisë në drejtim të grupeve vulnerabil dhe të punëkërkuesve të papunë.

Partia Demokratike fokuson programin e saj tek promovimi i punësimit. Në kontrast me Partinë Socialiste, ajo e shikon punësimin si një derivat të mirëfunksionimit të ekonomisë së tregut dhe jo si një përgjegjësi direkte të qeverisë. Në këndvështrimin e Partisë Demokratike, mënyra më e mirë për të promovuar punësimin është të ulësh nivelin e taksimit për sipërmarrjen. Megjithatë, programi përmend dhe nevojën për mbrojtjen sociale si një mekanizëm që i jep drejtim dhe rasteve të dështimit të tregut. Partia Demokratike gjithashtu nuk përmend ndonjë gjë që ka lidhje me dialogun social apo të drejtat e punëmarrësve.

Lëvizja Socialiste për Integrim e kishte punësimin si shtyllën kyçe të programit politik. Në të i jepet rëndësi e madhe përgjegjësisë që ka qeveria për të garantuar mundësinë e punësimit, veçanërisht tek të rinjtë. Gjithashtu, nënvizohet roli i mbrojtjes sociale, solidaritetit social si detyrat kryesore të shtetit si edhe,ndonëse shkurtimisht, flet për të drejtat e punëmarrësve”, thuhet në këtë raport.

Qendra për Marrëdhëniet e Punës dhe Dialogun Social (CLRSD) gjen rastin të inkurajojë partitë politike që të përfshijnë edhe më shumë punën e denjë në programet e tyre politike. Gjithashtu, CLRSD angazhohet që të lobojë pranë qeverisë së re që brenda vitit të parë të saj, të bëhet e mundur firmosja e Paktit Global për Punën e Denjë.

Top Channel