“Kuqezinjtë” e koshit, test me “derbin shqiptar”

21/07/2017 00:00

Pas rreth 3 javësh grumbullim, përfaqësuesja shqiptare e basketbollit do të zhvillojë testin e parë në një ndeshje kontrolli, që do të jetë derbi shqiptar me Kosovën.

Bëhet fjalë për dy ndeshje, një ditën e shtunë, e cila do të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe ditën e dielë do të jetë me dyer të hapur edhe për publikun.

Gjithçka duket që po shkon në drejtimin e duhur me basketbollin në këtë sezon të ri. Presidenti i Federatës, Avni Ponari është shprehur i kënaqur me pjesëmarrjen e 7 ekipeve kombëtare në aktivitete ndërkombëtare, por pavarësisht kësaj ka ende rezerva.

“Në këtë vit kemi një tjetër ekip përfaqësues, i cili ka një nivel më të lartë. Megjithatë mendoj që nëpërmjet Ministrisë së Sporteve, ndoshta duhet bërë më tepër me ligjin e sponsorizimit për të patur një sport elitar”, thotëAvni Ponari, President i Federatës së Basketbollit.
  
Ndërkohë, në aspektin sportiv trajner qipriot i përfaqësueses sonë, Andonis Kostandinidhes i ka objektivat e qarta.

“Për fat të keq, por që mund të jetë për të mirën tonë, objektivi ynë në këtë sezon është një detyrim. Ka ardhur momenti që basketbolli shqiptar të bëjë kapërcimin e duhur për në nivelet e larta të këtij sporti. Dua ta sqaroj qartë këtë gjë për vete si trajner, por edhe për skuadrën time. Për ndeshjet që luajmë këtu në Tirane, ne nuk mund të lejojmë as Holandën, as Austrinë që të na mundë. Duhet ta krijojmë këtë traditë për ndeshjet tona në shtëpi, në këtë formë gjithashtu mund të arrijmë edhe objektivin”, shprehet Andonis Costantinides, trajneri i Kombëtares Shqiptare të Basketbollit.
 
Pas dy ndeshjeve miqësore të kësaj fundjave, “Kuqezinjtë” do të nisen për në Armeni ku nga datat 24 deri më 29 do të zhvillojnë një turne miqësor për të filluar eliminatoret më 2 gusht me Austrinë në Tiranë.

Top Channel