FIFA e UEFA përjashtojnë Villar

21/07/2017 00:00

Gianni Infantino dhe Aleksander Ceferin, presidentët respektivë të FIFA dhe UEFA do të përjashtojnë Angel Maria Villar nga organizmat që ata drejtojnë.

Arrestimi i kreut të Federatës Spanjolle të Futbollit me akuzën e korrupsionit dhe mashtrimit nuk është pritur aspak mirë nga autoritetet më të larta të futbollit në Europë dhe botë duke marrë këtë vendim.

“FIFA nuk mund t’ia lejojë vetes që të mbajë në bordin drejtues të saj një zv/president që është në burg, e që për më tepër ështe ende në varësi të hetimeve që po bëhen në SHBA. Edhe në UEFA po ndodh diçka e ngjashme, sepse edhe Platini u largua për të njëjtën arsye. Ceferin nuk ka asnjë lidhje me Villar e për më tepër dëshiron të distancohet nga personat e akuzuar për korrupsion”, tha një prej anëtarëve të FIFA-në.

Sipas Kodit të Etikës së FIFA, ata anëtarë që janë në proces hetimi për çfarëdolloj krimi brenda apo jashtë vendit të tyre, nuk do të mund të ekzekutojnë asnjë nga detyrat e tyre dhe do të shkarkohen nga pozicioni që kanë.

Angel Maria Villar përfiton 300 mijë euro në vit si zv/president i FIFA dhe kësaj shifre i shtohen edhe dietat e ndryshme ditore. Në të njëjtën kohë në këtë institucion ai ka përgatitur edhe një plan për pensionin me një vlerë prej 3.7 milionë Euro.

Në UEFA, Villar përfiton 250 mijë euro për postin e zëvendëspresidentit, ndërkohë që këtyre shifrave u shtohet edhe paga prej 12 mijë Eurosh në muaj si kreu i Federatës Spanjolle të Futbollit.

Ndërkaq, Gjykata Spanjolle vendosi për qëndrimin në burg të Villar dhe djalit të tij Gorka, ndërkohë që mendohet se prokuroria do të kërkojë një dënim me 9 vjet burg për të nëse ndaj tij do të provohen akuzat për korrupsion e mashtrim.

Top Channel