Një tërmet i fuqishëm tronditi në orët e para të së premtes Egjeun, duke prekur ishullin grek të Kosit dhe Bodrumin në Turqi, që të dyja zona tejet të frekuentuara nga turistët, përfshirë edhe ata shqiptarë.

Lëkundjet 6.7 ballëshe të tokës erdhën pikërisht në pragun e njërës prej fundjavave më të nxehta përsa i takon valës së mbërritjeve të reja.

Të paktën dy persona kanë humbur jetën në Kos, një suedez dhe një turk, viktima sipas disa raporteve në media, të shembjes së tavanit të lokalit ku po qëndronin, ndërsa disa artikuj të tjerë në shtypin ndërkombëtarë ia faturojnë fatkeqësinë rrëzimit të murit të një ndërtese të vjetër.

Të plagosurit janë gati 120, shumica me gjymtyrë të thyera e një pjesë janë në gjendje më të rëndë.

Tërmeti ra rreth orës 01:31 të mëngjesit me orën lokale në një largësi prej 16 kilometrash në verilindje të Kosit, ndërsa thellësia ka qenë 10 kilometra, çka konsiderohet shumë afër sipërfaqjes.

Edhe në qytetin turk dhjetra vetë janë lënduar lehtë ndërsa tentonin t’u largoheshin zonës së lëkundjeve.

Shërbimet e emergjencës po ndihmohen në përpjekjet e shpëtimit edhe nga forcat ushtarake, pas atij që një pjesë e banorëve të Kosit e përshkruajnë si tërmetin më të fortë të përjetuar ndonjëherë.

Ishulli grek ishte më afër epiqendrës e për këtë arsye është dhe më i godituri me dëmtime të mëdha të godinave të vjetra. Më të prekurat nga tërmeti janë ndërtesat antike si dhe zona e portit, ku janë pezulluar të gjitha shërbimet e transportit detar.

Një helikopter është nisur sakaq nga Rodosi për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit. Në Bodrum situata është më pak dramatike, por prej orësh mungon energjia elektrike, e flitet edhe këtu për dëmtimin e disa shtëpive, si dhe të xhamisë së vjetër të qytetit.

U fol dhe për një minitsunami dhe ka informacione se hotelet në bregdetin e Marmarës, të preferuar nga turistët anglezë, janë mbushur me ujë.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel