Interi i shkruan Shalkes, Shalke e tall

20/07/2017 00:00

Interi dhe Shalke ndodhen në Kinë për një tur miqësoresh përgatitore për sezonin e ri dhe kalendari i ka vënë dy skuadrat kundër njëra-tjetrës ditën e premte.

E për të ndezur pak atmosferën kanë menduar zikaltërit përmes rrjeteve sociale.

“Shalke 04, jeni gati, ashtu siç jemi ne për Dragon City Cup? Shihemi nesër mbrëma”, shkruhet në llogarinë zyrtare të Interit, ku i është bërë ‘tag’ profilit zyrtar të gjermanëve.

Përgjigja jo vetëm që nuk vonoi, por ishte mjaft e hidhur.

“Sigurisht! Mezi po presim! Ende ju mbajmë mend shumë mirë”, iu përgjigj Shalke.

Nuk do shumë kujtesë të fortë dhe as të jesh tifoz i Interit apo i Shalkes që të kuptosh se fjalia e fundit ishte një thumbim i hidhur për zikaltërit, një reminishencë e ndeshjes së 5 prillit 2011 në San Siro, e mbyllur 2-5 për skuadrën gjermane, megjithëse Interi e gjeti avantazhin që në minutën e parë falë një supergoli të Dejan Stankoviç që i shënonte pikërisht atij, Manuel Nojerit.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel