Eliminimi nga moldavët, Kukësi humbi 1.2 milionë euro

20/07/2017 00:00

“Nuk kam se çfarë të them. Ju e shikuat vetë ndeshjen”. Ky reagim i presidentit të Kukësit, Safet Gjici pas ndeshjes së mbrëmjes të së mërkurës përball Sheriff-it, thotë gjithçka për mënyrën dramatike se si ekipi verilindor u eliminua nga Champions League.

“Çfarë t’i bëj Pejicit, unë ç’a t’i bëj?! Penalltia që humbi ai na mohoi kualifikimin, nuk kam çfarë të them, skuadra luajti mirë, por edhe fati nuk ishte me ne”, shprehet Gjiçi.

Mungesa e fatit ishte një nga arsyet kryesore se përse skuadra e Ernestë Gjokës nuk mundi të bëjë më tepër për të kaluar në raundin e tretë.

“Skuadra luajti shumë mirë dhe mund të them që ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira që kemi luajtur ndonjëherë, por me sa duket Zoti nuk ishte me ne këtë herë”, thotë Ernest Gjoka, trajner i Kukësit.

Kapiteni i Kukësit, Rrahman Hallaçi mendon se Kukësi duhet të largohej kokëlartë nga “Elbasan Arena”.

“Luajtëm shumë mirë por futbolli kështu e ka dhe ai dhuron emocione, duhet ta pranojmë humbjen. Në fund të fundit nuk kemi asgjë për të qenë pishman”, thotë kapiteni.

Megjithatë, kjo humbje sportive u shoqërua edhe me një humbje financiare që në rast kualifikimi arrinte shifrën e 1.2 mln eurosh. Një shifër e konsiderueshme për një skuadër shqiptare, aq më tepër kur nga sot Kukësit është thuajse i shpërbërë.

6 lojtarë, Kolici, Pejic, Emini, Lena, Shameti, Karioka dhe trajneri Gjoka nga sot janë të lirë pasi kontratat e tyre kanë përfunduar me përfundimin e ndeshjeve europiane, për momentin nuk ka asnjë hije rinovimi për askënd, edhe pse në ditët në vazhdim do të fillojnë takimet me presidentin Gjici për të diskutuar rinovimet, por nuk mund të përjashtohen edhe surpriza.

Top Channel