Skënderbeu ndaj Kairatit me stadiumi plot

20/07/2017 00:00

Në vigjiljen e sfidës së kthimit në turin e dytë kualifikues të Ligës së Europës përballë kazakëve të Kairat Almatit, entuziazmi te Skënderbeu sa vjen e shtohet.

Klubi korçar ka bërë të ditur se shitja e biletave ka qenë impresionuese çka premton një stadium plot, ndërsa në fushë, trajneri dhe futbollistët janë optimistë për kualifikimin.

Barazimi 1-1 në Kazakistan e ktheu në favorit Skënderbeun, por veç llogarive për rezultatin, korçarët do të bazohen edhe te loja e mirë në 90 minutëshin e parë për të arritur kualifikimin, diçka e nënvizuar dhe nga trajneri kazak.

“Kemi të njëjtin objektiv si Skënderbeu por shpresojmë se fati do të jetë me ne të enjten dhe do të kualifikohemi. Kemi bindjen që do të fitojmë ne, por këtë do ta shikojmë në fushë. Nuk do të jetë sigurisht e lehtë pasi në ndeshjen e parë Skënderbeu bëri lojë të mirë, por nesër do të zgjidhim çdo gjë”, tha trajneri i Kairat,  Kakhaber Tskhadadze.

Ndeshja mes Skënderbeut dhe Kairat Almati, do të zhvillohet të enjten në orën 20:00 në stadiumin e Korçës.

Top Channel